Amanda Molla: Pse e shpallëm Amfiteatrin e Durrësit në rrezik

09/07/2013 - 11:09

TIRANE, 9 korrik 2013 - "Europa Nostra" përfaqëson një lëvizje qytetare "gjithnjë në rritje" që lobon dhe kujdeset për ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe natyrore të Evropës. Kjo organizatë paneuropiane përbëhet nga 250 organizata anëtare (shoqata, fondacionet të trashëgimisë (5 milionë anëtarë), 150 organizata të asociuara (organizma qeveritare, autoritete lokale dhe korporata) dhe gjithashtu 1500 anëtarë individualë, të cilët drejtpërsëdrejti mbështesin misionin e saj. 
'Europa Nostra' është padyshim prej dekadash zëri i Trashëgimisë Kulturore pranë Këshillit të Europës, aktive në mbrojtjen e trashëgimisë në të gjithë Europën, duke filluar që nga Delfi i lashtë në Greqi e deri në qytetin historik të Akuilas në Itali. 
Këtij misioni fisnik, human dhe historik të 'Europa Nostras' në 50 vite të ekzistencës së saj i janë bashkangjitur shumë prej personaliteteve të rëndësishme ndërkombëtare, me Presidentin aktual Maestro Plácido Domingo. "'Europa Nostra' më shumë së kurrë ka nevojë për të qenë së bashku, sepse Trashëgimia e Europës është gjithçka, është fryma që e mban gjallë, si dhe shpirti që e përjetëson", shprehet ai. 
Miku im më i mirë është Shqiptar... - tha Domingo, në takimin që patëm me atë pas konferencës për shtyp në 16 Qershor 2013 mbi "Mobilizimin europian për të ruajtur trashëgiminë e rrezikuar të Europës", drejtuar nga ai vetë e në Muzeun e Akropolit në Athinë, ku u shpall dhe lista përfundimtare e Programit "7 më të rrezikuarit". 

Ne jemi të ndërgjegjshëm që termi "7 më të rrezikuarit" tingëllon pak ashpër dhe debati merr shpejtë jetë, por ky program synon pikërisht këtë: Ndërgjegjësimin publik. 'Europa Nostra' e prezantoi atë në janar të këtij viti, duke inkurajuar anëtarët e saj që të aplikonin për objekte përfaqësuese të trashëgimisë të vendeve të tyre, të cilat kanë nevojë për mëshumë vëmendje dhe ndërhyrje restauruese dhe konservuese. Kjo thirrje u vlerësua nga shoqata jonë, duke përzgjedhur Amfiteatrin e Durrësit, si një nga monumentet më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore Shqiptare dhe Europiane. 
 

Aplikimi 

Aplikimi u miratua nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Për hir të së vërtetës Shqipëria ka shumë monumente dhe vende me vlera esenciale për trashëgiminë kulturore, të cilat duhet të jenë pjesë e programeve SOS. Por Amfiteatri i Durrësit është një objekt unik me vlera arkitekturore, historike dhe turistike për vendin tonë, një nga amfiteatrot më interesantë të antikitetit, po kaq i rëndësishëm për trashëgiminë europiane. Ende i pazbuluar tërësisht dhe natyrisht në një gjendje jo të mirë konservimi dhe restaurimi, ky objekt emblemë e një civilizimi mijëvjeçar dhe me një memorie historike shumë informuese për brezat, është padyshim motivi kryesor që na shtyu ne si shoqatë për të aplikuar, por dhe anëtarët e Bordit Këshillues Ndërkombëtar të 'Europa Nostra', të cilët janë ekspertë të njohur të trashëgimisë. 

Gjithashtu duhet theksuar fakti që Durrësi ose Dyrrachium i lashtë ka qenë përjetësisht një qendër e vizitueshme, por dhe një kryqëzim i rëndësishëm midis Perëndimit dhe Lindjes dhe vetë amfiteatri në antikitetit, por dhe gjatë mesjetës së hershme, ka luajtur një rol të rëndësishëm në jetën social-ekonomike të këtij qyteti antik. Kështu rijetësimi i këtij Amfiteatri romak me një kapacitet rreth 20.000 spektatorë, në kontekstin turistik do të kontribuojë jo vetëm në zhvillimin e turizmit kulturor, por dhe në atë ekonomik në nivel lokal dhe kombëtar. 
 

Përvoja pozitive 

Përvoja pozitive e këtij programi të suksesshëm realizuar nga US National Trust for Historic Preservation (Organizata për Ruajtjen e Trashëgimisë Historike në Shtetet e Bashkuara), tashmë do t'i shërbejë 'Europa Nostra'-s dhe organizatave anëtare të saj për ta aplikuar atë më së miri. "Meqenëse investimi në trashëgimi ndikon pozitivisht në ekonominë lokale dhe rajonale; dhe mbështetja për to bëhet në përputhje me fushën e veprimit të Bankës Evropiane të Investimeve (BEI), Instituti i BEI, së bashku me 'Europa Nostra'-n dhe partnerët e tjerë, do të ndërmarrin përpjekjet e nevojshme për të analizuar vendet e zgjedhura dhe për të kontribuar në zhvillimin e planeve vepruese realiste, në bashkëpunim të ngushtë me subjektet kombëtare dhe lokale publike apo private", - shprehet në deklaratën për shtyp Rémy Jacob - Drejtori i Përgjithshëm dhe njëherësh dekan i Institutit BEI. 
Përfaqësues të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë, Sporteve si dhe të institucioneve në varësi të saj, përfaqësues të pushtetit lokal dhe ekspertë të institucioneve të tjera që kanë lidhje me Amfiteatrin, do të jenë prezent në misionet vepruese që 'Europa Nostra' dhe partnerët e saj do të ndërmarrin për këto vende të nominuara në këtë program të trashëgimisë kulturore, pikërisht dhe në Shqipëri në fund të sezonit veror. 

*Presidente e Shoqatës për Zhvillimin e Turizmit Kulturor.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: