Apeli rrëzon padinë e vajzës së Elton Deliut

07/02/2013 - 16:33

TIRANE - Gjykata e Apelit Tiranë la dje të pandryshuar vendimin e Shkallës së Parë për sekuestrimin e mbi 3 milionë eurove pasuri të Elton Deliut (Çaushit), i vrarë më 27 dhjetor 2008. 

Në listën e pronave të vëna nën sekuestro preventive nga ky vendim gjyqësor, pas dyshimeve se janë siguruar nga veprimtari kriminale, janë edhe pronat në zotërimin e Admirim Sakos, ish-shofer dhe bashkëpunëtori i Deliut. Sako u vra më 22 janar 2013 pranë godinës së gjykatës së kryeqytetit, pasi u qëllua me tre plumba nga një person ende i paidentifikuar. 

Burime pranë Gjykatës së Apelit konfirmuan se bëhet fjalë për ankimin që kishte depozituar në këtë Gjykatë Eltona Deliu, vajza biologjike e Elton Deliut, e përfaqësuar nga nëna e saj, Ada Musaraj, ish-bashkëjetuese e tij. Në emrin e Musarajt kanë qenë disa nga pasuritë e sekuestruara me vendim gjykatë. Dje, një treshe gjykuese e Gjykatës së Apelit, e kryesuar nga gjyqtari Artan Broci, nuk ka pranuar ankimin e Musarajt, e cila kërkonte lirimin e pronave të sekuestruara nga Task-Forca e Prokurorisë së Tiranës. “Gjykata e Apelit vendosi miratimin e vendimit penal (vendosje sekuestro preventive) me numër akti 1768, datë 26.12.2012 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhej në dispozivitin e vendimit të Apelit. 

Ky vendim i jep formë të prerë vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për sekuestrimin e pasurive të paluajtshme në troje e apartamente, pasuri të luajtshme, 5 autovetura, si edhe 20 llogari bankare, depozitë kursimi dhe rrjedhëse, në shuma marramendëse në emër të Deliut apo personave të afërt me të. 

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: