Arrestohet doganieri, mori me presion 100 euro: Ik tani se je në rregull

03/03/2016 - 09:43

Arrestohet një doganier parkimi në Kakavijë, i akuzuar për korrupsion pasiv, pasi i ka marrë me presion një qytetari 100 euro që të mos kryente procedurat doganore për kalimin e 287 fidanëve, por në të vërtetë ai nuk kishte kryer asnjë veprim.

Mehmet Shehu, 48vjeç, banues në Memaliaj, me profesion doganier i parkimit në Degën Doganore Kakavijë u arrestua pasi: “Shtetasi P.H , 52 vjeç, ka bërë kallëzim, pasi në parkimin e doganës, ky doganier i ka kërkuar dhe i ka marrë nëpërmjet presionit një shumë prej 100 Eurosh për të mos kryer procedurat  doganore të 225 fidanëve hardhi dhe 62 fidanëve limonë, portokalle dhe mandarina, të cilat i kishte ngarkuar në mjetin e tij”, njofton policia e Gjirokastrës.

Pasi i ka marrë 100 eurot, doganieri nuk i ka dhënë asnjë dokument doganor shtetasit  P.H, por i ka thënë: “Je në rregull, të kam regjistruar”.

Nga verifikimet e kryera nga ana e Policisë, rezultoi se doganieri nuk kishte kryer asnjë veprim duke përvetësuar shumën e Eurove. Ndërkohë, mallrat nuk plotësonin vlerën për t’iu nënshtruar procedurave doganore.

S.L.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: