Artur Lekbello: Kjo kombëtare e ka rrugën të hapur për në kupën e Botës

25/06/2016 - 15:30

Pas festimeve, stop euforizmit të tepërt!

I ndoqi “me zemër në dorë” të tria ndeshjet e ekipit tonë në Francë. Shpresoi që lojtarët dhe ekipi do të spikatnin në Europian, dhe ia arritën. Më pas si veteran i fushës së blertë dhe i Kombëtares, i priti në ceremoninë zyrtare që kryeministri organizoi për ekipin Kombëtar pas kthimit nga Franca. Ka përjetuar emocione drithëruese. Atë që nuk e ka arritur askush nga futbollistët tanë më të mëdhenj në dekada, e bënë këta futbollistë që sot janë bërë krenaria e Kombit shqiptar. Është Artur Lekbello, ish-portieri i Kombëtares shqiptare, ish-portier i Partizanit të lavdishëm, i Flamurtarit dhe Lokomotivës, sot Teuta e Durrësit, ku mbylli karrierën në 1993-shin. Lekbello vjen në një rrëfim për “DurrësLajm”, mbi evenimentin i cili ngriti peshë zemrat e të gjithë shqiptarëve kudo në botë.

Këta djem dhe trajneri Giani de Biassi, janë ekipi ynë fitues, më i miri i të gjithë kohërave, dhe trajneri ka punuar që së bashku të jenë një zë, një skuadër e fortë, e cila nuk ka frikë të përballet me asnjë ekip tjetër. Por nuk duhet të bëhen euforikë. Në shtator nisim sërish betejat për parakualifikueset e Botërorit Rusi 2017. Aktualisht Lekbello është trajner i portierëve të ekipit kombëtar U19. 

Lekbello komenton kompeticionin e Shqipërisë në Europian, ecurinë e mëtejshme të Kombëtares tonë, mbresat që i kanë lënë gjurmë.

“Një gol i dytë i Francës, ai gol i minutave shtesë na ka penalizuar për të shkuar më tej. Kombëtarja është në rrugë të mbarë për vetë rezultatet që ka arritur, dhe kjo duket se është rritur edhe ndjenja kombëtare. Ky ekip i përket të gjithë shqiptarëve. Janë dy edicione si Kupa e Evropës dhe e Botës, shumë shpejt mendoj që do të jetë pjesë e Kupës së Botës edhe Kombëtarja jonë. Kjo sepse ekipi ynë ka sportistë profesionistë, dhe unë jam optimist, për këtë kombëtare”.

“Në fakt duhet të ketë më shumë fusha dhe kushte për futbollin këtë sport kaq të dashur.  Ne sot shikojmë fusha me ndriçim dhe të rikonstruktuara. Është për t’u përgëzuar e gjithë kjo punë që po bëhet. Duhen fusha më shumë për fëmijët e vegjël, që do të jenë e ardhmja e futbollit shqiptar. Është kënaqësi që stadiumet janë rikonstruktuar, në përgjithësi”.

Pas 20 vjetësh si portier e sportist i spikatur, Lekbello tregon se janë pesë momentet të cilat kanë lënë gjurmë në jetën e tij.

“Sporti është mbi të gjitha. Emrin Artur Lekbello e kam nga sporti e nga futbolli, ashtu sikundër edhe kolegët e mi sportistë të viteve `70 – `90. Meritë të madhe në pjesëmarrijen time ka pasur ish-trajneri i parë Sherif Ciciku, i cili mbetet një prej mjeshtërve të futbollit. Atëherë të gjitha bëheshin me urdhër nga lart, dhe jo të gjithë mund të vishnin fanellat e ekipeve të mëdha. Kjo sepse duhej përkushtim i madh, për të luajtur me një ekip kaq të madh”.

Për Lekbellon, Partizani është ekipi i tij i zemrës, ekipi që e bëri sportist, ekipi që i dha shumë në karrierën e tij sportive. “Te Partizani fituam kampionate dhe kupa, ishim ekipi lider, dhe të gjithë lojtarët hynin në fushë vetëm me një qëllim të fitonin. Vetë fanella të impononte fitoren, shpirtin e garës, ishim një ekip që me disiplinë arrinim rezultate. Pas 11 vjetësh kalova te Lokomotiva e Durrësit. Gjatë kësaj kohe si portier kam përfaqësuar në kupat e Europës ekipet shqiptare Flamurtarin, Tiranën, Partizanin. Dinamon, Vllazninë, etj. Por pavarësisht se kaluan vite më pas tek Teuta, karrierën e mbylla përsëri te Partizani në vitet 1991-92, në ndeshjen kundër Feinordit të madh, për ligën e kampionëve.

Moment

“Isha portier te Lokomotiva. ‘’Më thirrën titullarët e klubit të cilët kishin vendosur që të mbroja portën e Flamurtarit në ndeshjen e madhe kundër Barcelonës. Në Vlorë ishte një publik i zjarrtë. Ekipi më priti ngrohtësisht, por në mendje më ka mbetur pritja që më bëri populli vlonjat. Shpresonin tek unë, më donin. Ka mbetur historik rezultati (1-1 ) në Vlorë dhe (0-0) në Kamp Nou. Në Vlorë e di që pësova një gol, por edhe shënuam, ndërsa në stadiumin gjigant të Kamp Nout, vetëm kur ka mbaruar ndeshja e kam mësuar rezultatin përfundimtar. Emocioni që të prisja çdo top, të mos e lija të hynte në rrjetë, pastaj oshëtima e stadiumit gjigant, duartrokitjet e gjata të spanjollëve, për ekipin e Flamurtarit, kërkesat që të rrija në këtë shtet, ofertat, të gjitha ishin”, kështu kujton për këtë moment të veçantë portier legjendar i Partizanit Artur Lekbello.

SKEDA

ARTUR LEKBELLO  

Datëlindja: 25.01.1958

Vendlindja: Lezhë,

Arsimi: I Lartë,

Profesioni: Ushtarak

Lidhjet me futbollin: Në vitin 1974 me Partizanin

Pozicioni në fushë: Portier

Skuadrat ku ka luajtur: Në vitin 74-85 me Partizanin, 85-91 Lokomotiva, në vitin 91-92 me Partizanin 

Me Kombëtaren: Grumbulluar 8 vjet

Titujt sportivë: “Mjeshtër Sporti”, “Mjeshtër i Merituar i Sportit”, “Nder i Futbollit Shqiptar” dhe “Qytetar Nderi” i Durrësit.

Funksione për sportin:

Aktualisht: Shef i Shtabit të Emergjencave Civile në Prefekturë.

K.H.

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: