Që nga dita e mërkurë, grupet e inspektimit të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë nisur kontrollet në njësitë tregtare për tërheqjen nga tregu të markës së salçiçeve “Wudy” pas konstatimit të një bakteri të rrezikshëm në disa lote të këtij produkti.

Bëhet fjalë për bakterin “Listeria monocytogenes”, i cili mund të ketë ndikime serioze për shëndetin tonë.

Donald Dermyshi, shefi i inspektimit të sektorit të ushqimit pranë AKU Durrës deklaroi për “DurrësLajm” se kontrollet do të shtrihen nga magazinat ushqimore deri tek njësia më e vogël e tregtimit.

Në të gjitha supermarketet e Durrësit ishte vendosur një njoftim i posaçëm për konsumatorët e këtij produkti.

Dermyshi i drejtoi një apel të gjithë qytetarëve, që kanë ende produkte të pakonsumuara nga lotet problematike, të shkojnë t’i kthejnë pranë njësive tregtare ku i kanë marrë.

Ndërkohë, shumë nga qytetarët ndiheshin të sigurt pasi nuk e konsumonin produktin.

Njoftimi për disa lote të markës Wudy ndodhi pas një njoftimi nga sistemi RASSF i Bashkimit Europian në lidhje me sigurinë ushqimore.

M.B.