100 vjetori i përfundimit të Luftës së Parë Botërore

12/11/2018 - 22:02

Në Francë po zhvillohen ceremonitë e festimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore. Atje janë mbledhur krerët e dhjetëra vendeve të ndryshme – fituesit dhe humbësit e Luftës.

Një ndër ceremonitë më të rëndësishme një ditë para shënimit më 11 nëntor të përvjetorit ishte pritja e kancelares gjermane Angela Merkel nga presidenti i Francës Emmanuel Macron. Takimi dhe ceremonitë e përbashkëta të Macron dhe Merkel ishin për presidentin francez me një domethënie shumë të madhe. Por ato ishin më të lehta se biseda më parë e tij me presidentin amerikan Donald Trump, i cili e ka kritikuar ashpër presidentin e Francës për shkak të kërkesës së tij për krijimin  e një ushtrie evropiane. Trump dhe Macron ruajtën fasadën e mirësjelljes, por tërë kohën ekzistonte mundësia e shpërthimit të deklaratave kundërthënëse.

Compiègne simbol i hakmarrjes dhe pajtimit

Në Compiègne është nënshkruar me 11 nëntor 1918 Marrëveshja për armëpushimin, që i dha fund Luftës së Parë Botërore. Ata u takuan në një vagon që simbolizonte vendin e nënshkrimit të Marrëveshjes, por vagoni nuk ishte origjinal, sepse ai është shkatërruar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë Compiègne konsiderohet si vendi i hakmarrjes por edhe i pajtimit mes palëve të luftës.

Historia gjermano-franceze është shumë e komplikuar. Për francezët Lufta e Parë Botërore është ende “La grande guerre”, (Lufta e madhe), në të cilën kanë humbur jetën 1,4 milionë ushtarë francezë. Ndërsa në Gjermani edhe më tej ekziston një hije e fuqishme e fajit dhe krimeve, sepse gati në çdo fshat francez ekziston një përmendore që të kujton viktimat e kësaj lufte.

Së bashku drejt të ardhmes

Emmanuel Macron rikujtoi viktimat e shumta të Luftës së Parë Botërore, por edhe momentin e tendosjeve të tanishme. “Ne po përjetojmë një moment i cili i ngjanë kohës mes dy luftërave”. Këtu mendon ai tek rritja e nacionalizmave dhe forcimi i mitologjive për viktimat, që mund të jetë shumë i rrezikshëm edhe për kohën e sotme.

Presidenti francez ka kërkuar krijimin e një ushtrie të përbashkët evropiane, por kjo është kritikuar ashpër nga presidenti amerikan. Trump ka kërkuar nga partnerët evropianë që t’i plotësojnë detyrat e tyre dhe të paguajnë më shumë për NATO-n. Por Macron e ka numëruar madje edhe SHBA, krahas Rusisë dhe Kinës, ndër rreziqet për paqen dhe stabilitetin në Evropë.

Një histori me shumë fytyra

Në Gjermani mësohet në shkolla për rëndësinë e marrëdhënieve mes Gjermanisë dhe Francës, në veçanti Marrëveshja e pajtimit, e nënshkruar në vitin 1963 në pallatin Elysée, mes Charles de Gaulle dhe Konrad Adenauer. Por edhe takimi historik i vitit 1984 mes François Mitterand dhe Helmut Kohl në Verdun, ku ata paprituar morën njëri-tjetrin për dore dhe shënuan një faqe të re të historisë.

Raportet mes Gjermanisë dhe Francës, ndonëse ato kanë një histori shumë të rëndë pas vete, konsiderohen si boshti i Evropës së sotme dhe Bashkimit Evropian.

Trump, Putin, Erdogan, Thaçi…

Në Francë kanë shkuar në ceremonitë e shënimit të 100 vjetorit të përfundimit të Luftës së Parë Botërore krerët e vendeve fituese dhe humbëse të kësaj lufte. Kjo luftë ka shënuar përfundimin e disa perandorive – ndër to ajo Osmane, Rusisë Cariste dhe Austro-Hungareze.  Për të shënuar këtë ngjarje historike janë mbledhur dhjetëra liderë të shteteve të ndryshme, ndër ta edhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin, ai amerikan Trump, presidenti i Turqisë Erdogan. Ndër të ftuarit janë edhe presidentët e Kosovës Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë Aleksandar Vuçiq, të cilët do të kenë takime të shumta, të cilat do t’i shfrtytëzojnë për të bindur bashkëbiseduesit që ta mbështesin palën e tyre në dialogun e Bruskelit./DW

/portali DurresLajm/

Na bëni like në facebook!: 

Lajme nga e njëjta kategori

Kancelarja gjermane Angela Merkel "e mori në konsideratë me respekt" njoftimin e dorëheqjes së kryeministres britanike Theresa May".

Një zjarr në një shkollë në Suri të Indisë, u ka marrë jetën 19 studentëve e ndërsa 20 të tjerë kanë mbetur të lënduar.

Tre alpinistë kanë humbur jetën për shkak të lodhjes kur po zbristin malin Everest, duke e çuar në shtatë numrin e të vdekurve përgjatë n

Në një deklaratë nga Downing Street, kryeministrja britanike, Theresa May paralajmëroi këtë të premte dorëheqjen e saj. 

Në kohën kur Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut presin me ankth progres raportin për hapjen e negociatave, Franca duket se e ka marrë një v

Polemika të shumta ka ngjallur në Francë marrja në pyetje e 6 gazetarëve dhe thirrja për llogari e 2 të tjerëve nga Shërbimi i Sigurisë

Të mërkurën në mbrëmje pranë kufirit të Hungarisë me Serbinë, policia hungareze gjeti një grup prej 52 migrantësh.

Theresa May i ka orët e numëruara në krye të vendit, sipas raportimeve të fundit të mediave në Britaninë e Madhe.

Ministri i Mbrojtjes në Turqi, Hulusi Akar, ka thënë se Ankaraja është duke u përgatitur nëse Shtetet e Bashkuara do të vendosin sanksion