Shkon në 14 numri i viktimave dhe në 528 i të infektuarve nga koronavirusi në Itali, ndërkohë që intensifikohen përpjekjet ndërkombëtare për të ndaluar përhapjen e virusit vdekjeprurës.

Vatrën më të madhe të infektimit në Evropë e ka Italia, përbën një rritje prej 25 për qindësh në 24 orë. Guvernatori i Lombardisë, Attilio Fontana, tha ndërkohë në një video në Facebook se ai do të hynte në karantinë për dy javët e ardhshme, pasi një ndihmëse e tij kishte testuar pozitive për virusin. Lombardia, është rajoni më i prekur në Itali.

Disa vende evropiane po ashtu njoftuan për raste të virusit që e kishin origjinën në Itali. Autoritetet në Danimarkë komunikuan të enjten rastin e parë të koronavirusit, një burrë që kishte vizituar Italinë.

Po ashtu edhe Rumania ka zbuluar pacientin zero, një 20-vjeçar që punonte në një restorant italian. Edhe në Estoni është konfirmuar një rast i parë, por bëhet fjalë për një person të kthyer nga Irani. Infektimet e regjistruara të mërkurën, sipas OBSH, për të parën herë kanë kapërcyer ata në Kinë.

Pekini tani druan për një rikthim të virusit dhe ka vendosur të imponojë një periudhë 14 ditore vetë-karantine për të gjithë ata që kthehen nga vendet e goditura, përfshirë Italinë.

Greqia dhe Maqedonia e Veriut, kanë konfirmuar rastet e para të koronavirusit, të kthyer nga Italia. Po ashtu edhe Gjeorgjia.

Finlanda ka konfirmuar rastin e dytë të koronavirusit. Në Bruksel ndërkohë, eurodeputetët që kanë vizituar në 14 ditët e fundit katër rajonet italiane të konsideruara në rrezik, do të vendosen në karantinë 14 ditore.