Një 19-vjeçar i armatosur hapi zjarr në një sinagogë të Kalifornisë gjatë së shtunës, teksa po kremtohej mesha e Pashkës, duke vrarë një grua dhe duke plagosur 3 të tjerë.

Agresori i identifikuar si John Earnest, u arrestua më pas nga policia në Poway, në veri të qytetit të San Diegos.

Policia ende nuk jep një motiv të ngjarjes, por presidenti Donald Trump nxitoi ta cilësonte sulmin si “një krim urrejtjeje”.

Sulmi në San Diego vjen ekzaktësisht 6 muaj pas të shtënave në Pittsburg, në tetor të vitit 2018, kur mbetën të vdekur 11 persona, në atë që u konsiderua asokohe si sulmi më i rëndë antisemit në historinë e viteve të fundit të Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarë policorë në San Diego janë shprehur për gazetarët se, hetuesit janë duke rishikuar aktivitetin në mediet sociale të të dyshuarit, ndërkohë që po ekzaminojnë edhe një “letër të hapur” antisemite të publikuar “online”.

Në këtë letër, të publikuar në një forum online disa orë përpara sulmit, autori – i vetidentifikuar si John Earnest, – thoshte se ishte frymëzuar nga sulmi në dy xhamitë e Christchurchit të muajit të kaluar, e po ashtu edhe nga të shtënat vdekjeprurëse në sinagogën “Pema e jetës” në Pittsburg.