Ndërsa shumë vende të botës po përpiqen që të mbajnë nën kontroll valën e dytë të pandemisë së koronavirusit, Tajvani sapo ka shënuar 200 ditë radhazi pa asnjë rast të transmetuar lokal me Covid-19.

Rasti i fundit që ishulli me 23 milionë banorë raportoi me koronavirus ishte më 12 prill, të dielën e Pashkëve. Që nga dita e përhapjes së pandemisë e deri këtë të enjte, Tajvani ka konfirmuar vetëm 553 raste, ku 55 prej tyre ishin transmetime lokale.

Pavarësisht se është afër Kinës dhe ka vëllime të larta udhëtimesh dhe tregtie, Tajvani ka regjistruar vetëm shtatë vdekje nga Covid-19 gjatë kësaj periudhe të pandemisë.

Tajvanit nuk i është dashur kurrë të vendosë masa të rrepta. As nuk iu drejtua kufizimeve drastike të lirive civile, si në Kinën kontinentale.

Autoritetet tajvaneze filluan të kontrollonin pasagjerët e fluturimeve direkte nga Wuhan, ku virusi u identifikua për herë të parë, në dhjetor të vitit 2019.

Rastin e parë Tajvani e konfirmoi më 21 janar 2020. Menjëherë ndaloi banorët e Wuhan që të udhëtonin drejt ishullit. Të gjithë udhëtarëve që mbërrinin nga Kina kontinentale, Hong Kong dhe Makao u kërkohej t’i nënshtroheshin testimit të Covid-19