Të paktën 31 persona thuhet të kenë humbur jetën në zonat e prekura nga zjarret në veri e jug të Kalifornisë, atje ku tymi ka mbuluar qiellin dhe dielli vështirë se duket ndonjëherë. Në terren, makina të shumta shihen të shkrumbuara, të cilave iu ka mbetur vetëm skeleti, ndërsa shtëpitë janë kthyer në grumbuj mbeturinash që digjen.

I mbiquajturi “Camp Fire”, i rënë në pyjet e zonës malore të Sierra Nevadës, në veri të Sacramentos, është më i madhi dhe më shkatërrimtari ndër dhjetëra “ferret” e këtyre ditëve, që kanë detyruar deri më sot evakuimin e mbi 250 mijë njerëzve, kanë shkrumbuar mbi 6.400 shtëpi në qytetin Paradise, aq sa thuhet madje ta ketë zhdukur nga harta.

Ekipet e kërkimit gjetën edhe 6 trupa të tjerë në përpjekjet e tyre mes rrënojave. Megjithatë, dhjetëra njerëz rezultojnë të zhdukur, gjë që mund ta përkeqësojë ende bilancin e viktimave nga zjarret në Kaliforni.