Dy ditë në radhë qëndrojnë pacientët në spitalin e Wuhanit, për të marrë ndihmë mjekësore pas përhapjes së koronavirusit që është duke u përhapur me ritme të shpejta në Kinë dhe gjithë botën. Numri i viktimave ka arritur në 56, ndërsa autoritetet numërojnë mbi 2 mijë të prekur.

Banorët janë në pritje të përfundimit të spitalit të ri me 1 mijë shtretër që po ngrihet në një kohë rekord prej 1 jave. Edhe pse masat masat e marra për parandalimin e përhapjes së mëtejshme janë ndër më të lartat e mundshme, autoritetet kineze por edhe ekspertët e mjekësisë në gjithë botën, thonë se mungesa e njohurive për këtë virus të ri përbën disavantazh në përpjekjet për parandalimin e përhapjes.

 “Njohuritë tona për koronavirusin e ri janë të kufizuara. Origjina ende nuk është gjetur. E kemi të paqartë mekanizmin e transmetimit. Nuk e dimë ende nëse virusi është në gjendje të pësojë të tjera mutacione”, thotë Ma Xiaowei, drejtues i Komisionit Kombëtar të Shëndetësisë.

Në mediat botërore është vlerësuar heroizimi i mjekëve kinezë që po punojnë me turne të tejzgjatura për të përballuar fluksin e lartë të pacientëve. Në ndihmë të stafeve mjekësorë kanë ardhur edhe mjekë të dalë në pension. Një ish-mjek 62 vjeç ndërroi jetë në spitalin e Wuhanit teksa përballej me fluksin. Është ende e paqartë nëse ai është infektuar nga virusi apo ka ndërruar jetë nga lodhja në përballimin e fluksit.

Presidenti kinez Xi Jinping urdhëroi dërgimin e ushtrisë në Wuhan për të garantuar respektimin e rregullave strikte për mospërhapjen e virusit. Edhe Papa Francesku përgëzoi autoritetet kineze për menaxhimin e kësaj situate tepër të vështirë dhe reagimin në kohë për të parandaluar përhapjen.