Kjo është mënyra si i evidentojnë me skanerë të posaçëm në aeroportet koreano-jugore, personat që mund të jenë prekur nga virusi misterioz që është përhapur në Kinë. Jo vetëm në Korenë e Jugut por edhe në disa aeroporte ndërkombëtare nëpër Europë si Britaninë e Madhe, Itali, Gjermani, etj, pasagjerët e ardhur nga Kina po u nënshtrohen kontrolleve të posaçme. Edhe Koreja e Veriut ka pezulluar të gjitha hyrjet e turistëve nga jashtë.

Në Vuhanin kinez, ku është edhe vatra e koronavirusit misterioz, autoritetet u kanë bërë thirrje banorëve të Kinës por edhe të huajve, të mos shkojnë në këtë qytet. Bilanci i viktimave është thelluar në 9, mbi 450 ai i të prekurve. Rastet e të prekurve janë përhapur edhe përtej kontinentit, në Australi dhe Shtetet e Bashkuara, duke e çuar në 6 numrin e vendeve ku janë konstatuar raste me virusin misterioz.

Në Gjermani është krijuar ilaçi i parë provë kundër këtij virusi, i cili e ka goditur Kinën në një moment të vështirë, në prag të festimeve për vitin e ri kinez. Miliona qindra miliona banorë të Kinës rikthehen në vendlindje në këtë periudhë për t’u bërë pjesë e festimeve. Organizata Botërore e Shëndetsisë mblidhet këtë të mërkurë në një mbledhje urgjente për të diskutuar se si duhet menaxhuar kjo situatë.