Katër turistë amerikanë u sulmuan me acid ditën e sotme në qytetin francez të Marsejës, ndërsa një grua rreth 40 vjeç është arrestuar si e dyshuar.

Ngjarja ka ndodhur jashtë një stacioni hekurudhor në Marsejë, ndërsa ende nuk dihen shkaqet dhe motivet.

Dy nga turistët u plagosën në fytyrë në stacionin kryesor të qytetit të Saint Charles dhe një prej tyre ka marrë dëmtime dhe në sy, tha një zëdhënëse e zyrës së prokurorisë së Marsejës për Associated Press.

Ajo tha se të katër turistët, të cilët janë rreth 20 vjeç janë shtruar në spital, dy prej të cilëve më tepër kanë pësuar tronditje. Autoritetet nuk përjashtojnë mundësinë se akti është një sulm terrorist.