Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA ka miratuar një rezolutë për dërgimin e dy akuzave zyrtare kundër presidentit Donald Trump në Senat. Dhoma, e udhëhequr nga demokratët e miratoi rezolutën me 228 vota për dhe 193 kundër.

Trump akuzohet për shpërdorim detyre dhe pengim të punës së Kongresit. Dhoma e Përfaqësuesve ka ngritur akuzat zyrtare kundër tij në muajin dhjetor ndërsa, me votimin e sotëm, gjykimi i presidentit kalon në Senat.

“Jemi këtu për të kapërcyer një prag shumë të rëndësishëm në historinë amerikane”,– tha përpara votimit kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.

Nëse gjatë gjykimit në Senat shpallet fajtor, gjë që thuhet se ka pak gjasa pasi ky institucion kontrollohet nga republikanët , Trump do të shkarkohej nga detyra. Trump, ka këmbëngulur se hetimet kundër tij janë “gjueti shtrigash”.
Presidenti i SHBA akuzohet për presion ndaj Ukrainës për të zbuluar informacione të dëmshme për Joe Bidenin, i cili mund të jetë rival i tij në zgjedhjet e nëntorit.

Në këmbim të favoreve nga Ukraina, Trump akuzohet se ka mbajtur dy gjëra pezull: ndihmën ushtarake për Ukrainën, në vlerë prej 400 milionë dollarësh dhe një takim në Shtëpinë e Bardhë me presidentin ukrainas.

Me këto veprime, sipas demokratëve Trump ka abuzuar me pushtetin, pasi ka përdorur zyrën e presidentit për përfitime politike personale dhe në dëm të sigurisë kombëtare.