Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump u bëri thirrje të premten amerikanëve të vaksinohen kundër epidemisë të fruthit, në kushtet e një rigjallërimi të virusit infektues në SHBA, që i ka detyruar dy universitete amerikane të izolojnë në karantinë qindra studentë, profesorë dhe punonjës të tjerë të universitetit.

Trump u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë se qytetarët duhet të marrin vaksinat për t’u mbrojtur ndaj virusit që konsiderohej i zhdukur në SHBA gati 20 vjet më parë.

Qendrat për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC), njoftuan të mërkurën se ka patur rreth 700 raste infektimesh në 22 shtete amerikane, niveli më i lartë i epidemisë në 25 vitet e fundit. CDC tha se epidemia i atribuohet pjesërisht valës së keqinformimit për sigurinë e vaksinës së fruthit.