Një shpërthim i fuqishëm është raportuar në Leicester në Angli, në orët e mbrëmjes së të dielës.

Stacioni policor i qytetit raporton se në vendngjarje janë dërguar 6 mjete zjarrfikëse dhe po punohet për të vendosur nën kontroll situatën.

Në këto momente është e pamundur të raportohet nëse ka apo jo viktima, teksa dyshohet se shumë njerëz janë plagosur ose kanë mbetur të bllokuar.

Paraprakisht raportohet se shpërthimi ndodhi në Western Park Store, në një dyqan Londis që ndodhej përballë me një stacion autobusi. Dyqani është shkatërruar plotësisht pasi është përfshirë i gjithi në flakë, duke krijuar gërmadha. Pranë vendit të shpërthimit ndodhen 60 banesa të evakuuara.

Për shkakun nuk ka shumë detaje, veç spekulime për një shpërthim gazi, asgjë nuk është e konfirmuar.