Sekretari i Jashtëm i Britanisë së Madhe, Jeremy Hunt tha se Presidenti amerikan, Donald Trump, nuk ka treguar respekt ndaj Kryeministres dhe Britanisë së Madhe. Komentet vijnë pasi Presidenti Trump e quajti ambasadorin britanik në SHBA, Kim Darroch si një njeri “shumë budalla”.

Presidenti kritikoi edhe Kryeministren në largim, Theresa May, duke thënë se ajo kishte injoruar këshillën e tij për Brexit-in.

Ndërkohë, është anuluar një takim i planifikuar i Sekretarit britanik të Tregtisë ndërkombëtare, Liam Fox me Sekretarin amerikan të Tregtisë, Wilbur Ross në SHBA.

E gjithë kjo përplasje mes zyrtarëve amerikanë dhe britanikë vjen pasi të dielën u publikuan dokumente të fshehta, në të cilat ambasadori britanik në SHBA e quante administratën e Trump-it të “paaftë”.

Ndërkohë qeveria britanike ka nisur një hetim për rastin. Megjithatë, qeveria britanike deklaroi se e mbështet ambasadorin e Britanisë së Madhe në SHBA, dhe nuk dha shenja se do ta zëvëndësojë atë. /REL