Presidenti i Filipineve, Rodrigo Duterte, ka ofruar shuma të mëdha për ata që ndihmojnë në kapjen e qindra të burgosurve që janë arratisur nga burgu si shkak i një gabimi kompjuterik. Mirëpo ai ka thënë se preferon që vrasësit dhe dhunuesit të kthehen të vdekur.

“Çmimi është për të gjithë ata që i kapin të burgosurit të gjallë apo të vdekur. Por ndoshta të vdekur do të ishte më mirë. Unë do ju paguja me një buzëqeshje në fytyrë”, ka thënë ai përpara gazetarëve të martën.

Duterte është një ish-kryebashkiak dhe prokuror që kishte premtuar që do vriste mbi 100 mijë kriminelë nëse do bëhej president. Që nga zgjedhja e tij ai u bë i njohur për një luftë të përgjakshme ndaj trafikantëve të drogës.