Prej më shumë se 100 ditësh ky vend nuk po shënon asnjë transmetim komunitar të Covid 19. Është fjala për Zelandën e Re që ka arritur në këtë mënyrë një rezultat të admirueshëm.

Vendi ka shënuar në total 1,219 raste të konfirmuara nga të cilat vetëm 21 raste aktive, të gjitha të izoluara. Autoritetet njoftuan të dielën se prej 100 ditësh nuk është shënuar asnjë transmetim i virusit dhe të gjitha infektimet e reja kanë ardhur nga jashtë. Megjithatë prej 4 ditësh nuk është shënuar asnjë infektim i ri. Në total, vendi me 5 milionë banorë ka shënuar 22 vdekje nga Covid.

Ndërsa vendet e tjera, përfshirë edhe fqinjët e Paqësorit vazhdojnë të përballen me shpërthimin e rasteve, Zelanda e re ka sjellë një shembull se si mund të luftohet Covid-19. Një nga arsyet kryesore është, që ndonëse vendi duket nën kontroll, autoritetet janë duke testuar me mijëra njerëz çdo ditë, siç  bën me dije Cnn.

Në fjalët e Kryeministres së vendit Jacinda Ardern, strategjia e Zelandës së Re ishte shumë e thjeshtë: “Ec shpejt dhe në kohë.” Kur Ardern mbylli kufirin vendi kishte vetëm 28 raste të konfirmuara dhe kur ajo njoftoi mbylljen më 23 Mars, numëroheshin 102 raste, pa asnjë vdekje.