Koronavirusi vijon të përhapet me ritme të shpejta në të gjithë botën duke shkaktuar viktima dhe dëme të mëdha ekonomike.

Pas shtimit të rasteve të reja të të infektuarve nga COVID-19, shteti i Viktorias në Australi ka shpallur gjendjen e katastrofës dhe ka vendosur masa të reja izolimi. Kryeministri Daniel Andrews bëri me dije se kufizimet hyjnë në fuqi sot në orën 18:00.

Sipas rregullave të reja, banorët e Melburnit do t’i nënshtrohen shtetrrethimit gjatë natës. Ata nuk do të lejohen të udhëtojnë më tepër se 5 km nga shtëpia e tyre, aktiviteti fizik do të kufizohet një herë në ditë dhe vetëm një person do të ketë mundësi të bëjë pazar për gjërat bazike.

Australia ka pasur më pak raste me koronavirusi se shumë vende të tjera, duke regjistruar rreth 17,000 të infektuar dhe 200 vdekje. Por numrat po rriten me shpejtësi në Viktoria, duke detyruar autoritetet që të rikthejnë masat shtrënguese.