Të paktën 44 persona kanë mbetur të vdekur pasi një autobus në Indi ra në një humnerë.

Dhjetëra të tjerë mbetën të plagosur nga aksidenti i së enjtes në rrethin e Kullu të Himachal Pradesh, një shtet malor në veri.

Mendohet se në autobus ishin 60 persona, kur mjeti doli nga rruga dhe ra në një lumë. Disa pasagjerë ishin në çatinë e autobusit.

Foto nga vendngjarja tregon autobusin e shkatërruar në rrëke dhe një grup njerëzish që ndihmojnë të mbijetuarit.

Policia shtoi se shumica e viktimave ishin gra dhe fëmijë që po ktheheshin nga puna dhe shkolla.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, shkroi në Twitter se ishte "thellësisht i pikëlluar".