Një avion pasagjerësh që fluturonte nga qyteti jugor indian i Trichy për në Dubai pësoi mjaft dëmtime, pasi u përplas me murin e aeroportit gjatë kohës që ngrihej.

Air India IX 611, që kishte brenda 130 pasagjerë dhe 6 anëtarë të ekuipazhit, u drejtua më pas për në Mumbai ku u ul pa probleme.

Vetë kompania ajrore tha se dy pilotët, të cilët kanë më shumë se 6 500 orë fluturime eksperiencë, janë pezulluar nga detyra dhe pritet që për ta të ketë një hetim.

Air India është kompania kombëtare e Indisë. Në një deklaratë, kjo e fundit tha se Boeing 737 u ngrit nga aeroporti i Trichy, në jug të Indisë orët e para të së premtes. Pikërisht gjatë kësaj kohe zyrtarët “dalluan se avioni mund të kishte pasur kontakt me murin rrethues të aeroportit”.

Mjeti fluturues pësoi jo pak dëme. “Kulla e kontrollit më pas njoftoi pilotin kryesor dhe ky i fundit tha se të gjitha sistemet e avionit punonin normalisht”.