Komisioni Evropian po synon të vaksinojë kundër COVID-19 të paktën 70 për qind të popullsisë së rritur të BE-së deri në qershor, tha zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian, Margaritis Schinas, gjatë një konference të martën.

Ky plan është rënë dakord në një takim me të gjithë komisionerët e BE, në kohën që fushatat e vaksinimit po vijojnë  në 27 vendet anëtare të bllokut.

27-vendet anëtare filluan vaksinimin tre javë më parë, ndërkohë që deri më tani BE ka miratuar dy vaksina, të BioNTech / Pfizer dhe atë të Modernës.

Deri në mars të paktën 80 për qind e njerëzve mbi moshën 80 vjeç dhe 80 për qind e punonjësve të kujdesit shëndetësor duhet gjithashtu të vaksinohen në secilin shtet të BE, rekomandon Komisioni Europian.

Mediat e huaja raportojnë se Komisionerja e Shëndetësisë, Stella Kyriakides tha se në bazë të strategjisë së blerjes së përbashkët të BE-së, do të ketë doza të mjaftueshme për të vaksinuar 80 për qind të popullsisë së BE-së prej 450 milionësh. Ajo pranoi, megjithatë, se “procesi i vaksinimit duhet të përshpejtohet”.

Ndërkohë që Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, tha në një deklaratë se përmbushja e qëllimit të 70 përqind brenda katër muajve të ardhshëm mund të jetë “një pikë kthese në luftën tonë kundër COVID-19″.