Joe Biden pritet të arrijë pragun e 80 milionë votave në zgjedhjet presidenciale. Një rekord ky sikurse edhe pjesëmarrja prej 65% e atyre me të drejtë vote në zgjedhje është një rekord, një shifër që nuk është regjistruar që nga viti 1908.

Numërimi i fletëve të votimit vijon ende në Kaliforni dhe Nju Jork, ndërsa në Xhorxhia po kryhet rinumërim pas kërkesës së fushatës së Trump. Zyrtarët e zgjedhjeve thonë se nga rinumërimi nuk do të ketë ndryshim të rezultatit, ndërkohë që Biden është projektuar fituesi i zgjedhjeve me një rezultat bindës në kolegjin elektoral.

Por presidenti në detyrë, Donald Trump, ende nuk e pranon këtë fakt. Ai vijon të denoncojë në Twitter procesin që sipas tij është manipuluar në shumë shtete ku ai humbi.

Së fundi Trump  tha se “provat e mashtrimit zgjedhor vazhdojnë të rriten”, duke pretenduar se 20,000 të vdekur kanë qenë në regjistrin zgjedhor të Pensilvanisë dhe mijëra të tjerë në të gjithë vendin.

Twitter vijon t’i shenjojë si jo të vërteta postimet e Trump, ndërsa zyrtarët e sigurisë së zgjedhjeve në SHBA thanë se këto kishin qenë zgjedhjet më të sigurta ndonjëherë.