Ditë pas dite, lista e mjekëve që humbin jetën në Itali nga koronavirusi, fatkeqësisht, shtohet me emra të rinj.

La Repubblica bën të ditur se 10 mjekë të tjerë kanë humbur jetën, duke e çuar shifrën në 51. Pjesa më e madhe e mjekëve që kanë humbur jetën janë mjekë familje, por nuk mungojnë dhe mjekët pneumologë, kardiologët, dentistët etj.

Deri më tani, në Itali janë 6.414 punonjës të sektorit të shëndetësisë që janë prekur nga koronavirusi.

Sot, Italia regjistroi një tjetër ditë të zezë, duke shënuar një rekord negativ, përsa i përket shifrës së të vdekurve. Në 24 orë humbën jetën 976 persona, shifër kjo që tronditi gjithë botën. Deri tani në Itali kanë humbur jetën nga koronavirusi 9.134. Ndërkohë janë shëruar 10.950 persona.

Që nga fillimi i emergjencës në Itali janë regjistruar 86.498 persona pozitivë me Covid-19.