Kryeministri britanik, Boris Johnson, e përshkroi krizën e koronavirusit si “katastrofë” për Mbretërinë e Bashkuar, por tha se tani nuk është koha për të hetuar atë që mund të jetë bërë keq.

“Kjo është një katastrofë. Mos t’i zbusim fjalët tona. Ka qenë një makth absolut për vendin dhe vendi ka përjetuar një tronditje të thellë”, tha Johnson për Times Radio në Britani.

Ai tha se qeveria detyrohet t’iu japë shpjegim të gjithë atyre që kanë vuajtur.

“E kuptoj plotësisht këtë dhe do ta bëjmë. Megjithatë, mendoj se tani nuk është momenti që të përqendrojmë sasi të madhe të kohës zyrtare në këtë”, tha Johnson.

“Por, ne po mësojmë mësime gjatë gjithë kohës”, shtoi ai.

Mbretëria e Bashkuar është e pesta në botë sa i përket numrit të të infektuarve me koronavirus: mbi 312,000. Ajo është e para në Evropë me numër të viktimave: mbi 43,600.

Gjatë krizës me koronavirus, afro nëntë milionë punëtorë, ose më shumë se një e katërta e fuqisë totale punëtore, kanë humbur përkohësisht vendet e punës në Britani.

Kjo i ka kushtuar shtetit mbi 24 miliardë funta. Vetë Johnson ka qenë i infektuar me koronavirus dhe për shërimin e tij është dashur të qëndrojë në kujdes intensiv./REL