Ashtu siç kishte paralajmëruar edhe kreu i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, procesi i divorcit me BE-në po rezulton i dhimbshëm për Britaninë, e cila po përpiqet me çdo lloj mënyre të ruajë avantazhet.

Gjatë një fjalimi në qytetin e Firences në Itali, kryeministrja Theresa May propozoi një periudhë tanzitore dyvjeçare pas largimit zyrtar të Britanisë nga unioni, gjatë së cilës lidhjet tregtare duhet të qëndronin të pandryshuara.
Emigrantët nga vendet e BE-së do të mund të jetonin dhe punonin në Britani, por duke u regjistruar tek autoritetet përkatëse. Gjithashtu, Mbretëria e Bashkuar do të kontribuonte në buxhetin e BE-së. Pas përfundimit të periudhës së tranzicionit, Brukseli dhe Londra duhet të krijojnë sipas saj një partneritet të ri special. Ajo shpreson që propozimi do të zhbllokojë bisedimet për “Brexit”-in.

Përpara këtij fjalimi, kryeministrja u takua për mbi dy orë me kabinetin e saj qeveritar, për të finalizuar pozicionin e Britanisë për këtë çështje. Ministrat britanikë kanë pasur diskutime intensive për aspekte thelbësore, si për shembull nivelin e pagesave që duhet të bëjë Britania për të shlyer detyrimet e saj financiare ndaj BE-së, statusin e shtetasve të vendeve të BE-së në Britani, etj..