“Nëse do të kisha folur për këtë në Kinë, ata do të më kishin burgosur ose ndoshta më keq.”, tha Dr Li-Meng Yan, e cila u arratis nga Kina në Shtetet e Bashkuara.

“Unë erdha këtu për të thënë të vërtetën se si Covid-19 arriti të zgjerohet në të gjithë botën”, shtoi ajo.

Yan akuzon qeverinë e Pekinit se ishte në dijeni të transmetimit nga njeriu tek njeriu shumë ditë më parë se sa u deklarua. Si provë e tezës së saj, ajo tregon disa biseda me një shkencëtar nga Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve, një qendër e pavarur kërkimore me qendër në Pekin.

Studiuesja e Universitetit në Hong Kong thotë se ajo ishte personi i parë që hetoi Covid-19: “Më 31 dhjetor, pasi identifikova një virus të ngjashëm me Sars në Wuhan, më kërkuan të hulumtoja në fshehtësi. Një mik i imi që punon në Qendrën e Kontrollit të Sëmundjeve më tha që kishte gjetur simptoma të ngjashme tek njerëzit e tjerë, edhe pse qeveria kineze kishte përjashtuar transmetimin midis njerëzve”.

Doktoresha tregon se shumë prej kolegëve të saj ishin të frikësuar nga ideja për të bërë pyetje.

“Infeksioni në Wuhan po rritet me shpejtësi, kështu që sapo mbarova studimin i raportova shefit të departamentit tim, Dr. Leo Poon. Ai më kërkoi të mos thoja asgjë dhe të tregohesha e kujdesshme. Shumë prej tyre janë virologë dhe ata e dinin se çfarë katastrofe do kalonim. Ata kishin për detyrë të bënin diçka.”, tha ajo.

Dr. Yan e la jetën e saj të vjetër për t’u shpërngulur në Shtetet e Bashkuara dhe për t’i thënë botës të vërtetën. “Burri im punonte me mua në laborator. Kur i kërkova të më ndiqte, ai nuk donte, u frikësua nga hakmarrja e qeverisë. Ai tha se ata do të na vrisnin prej meje”, shtoi doktoresha.

Pas mbërritjes në Los Angeles, gruaja u mor në pyetje dhe pasi shpjegoi arsyet e udhëtimit të saj, ajo kërkoi mbrojtje nga shërbimet sekrete amerikane.

“Disa orë pas largimit tim, policia erdhi në shtëpinë time. Ata e kthyen apartamentin me kokë poshtë në kërkim të provave, morën në pyetje familjen time dhe anuluan llogarinë time të punës”, ka treguar virologia.

Në muajt në vazhdim, ajo tha se ishte gjithashtu një viktimë e sulmeve kibernetike. Në Facebook u shfaqën profile në të cilët ajo u etiketua se vuante nga çrregullime mendore.

Universiteti i Hong Kongut ka bërë të ditur vetëm se gruaja “nuk është më pjesë e stafit të tyre”, pa shtuar deklarata të tjera.