Mjeku që drejtoi presidentin rus, Vladimir Putin nëpër dhomat e një spitali ku po trajtoheshin pacientët me koronavirus një javë më parë ka rezultuar edhe vetë pozitiv.

Denis Protsenko, kryemjek në spitalin “Kommunarka” të Moskës, doli pozitiv në testin për koronavirus të martën, raportoi televizioni shtetëror rus.

Putini u takua me këtë mjek të mërkurën e kaluar gjatë një vizite të papritur në spital, gjatë së cilës ai i vizitoi disa dhoma dhe bisedoi me stafin mjekësor dhe pacientët, shkruan “The Guardian”.

Gjatë vizitës, Protsenko është fotografuar duke i shtrënguar duart me presidentin rus, kanë qëndruar bashkë në një ashensor dhe asnjëri prej tyre nuk ka pasur maskë të vendosur gjatë takimit.

Nuk është e qartë nëse mjeku ka qenë i infektuar para se Putini të shkonte për vizitë në spital. Sidoqoftë, Kremlini tha se të gjithë personat që takohen me presidentin kontrollohen paraprakisht në aspektin shëndetësor.