Rezistenca e Theresa May në mocionin e mosbesimit nuk i largoi paqartësitë e qeverisë dhe të gjithë klasës politike në Britaninë e Madhe. Ethet e gjetjes së një zgjidhjeje të shpejtë për çështjen Brexit janë të pranishme, teksa mbeten edhe 70 ditë kohë për të shmangur daljen katastrofike pa marrëveshje nga Bashkimi Europian.

Kryeministrja May bëri thirrje për hartimin e një marrëveshje të re me Brukselin, pas refuzimit të shumicës parlamentare për të mbështetur marrëveshjen e parë. Zërat që mbështesin një referendum të dytë, që mund ta anulojë daljen nga Unioni po forcohen gjithnjë e më shumë.

Deri më tani, 4 parti parlamentare kanë nënshkruar një peticion ku i bëhet thirrje kryeministres të mbështesë një referendum të dytë për Brexitin dhe të anulojë nenin 50 për të penguar vazhdimin e mëtejshëm të procesit të shkëputjes. Të lëkundur janë edhe laburistët të cilët zyrtarisht mbështesin një marrëveshje të re me Brukselin, por brenda tyre po shtohen zërat për qëndrim në Bashkimin Europian.

Në pritje të zgjidhjes nga Londra, në krahun tjetër të La Manshit, francezët kanë ndërmarrë masat e emergjencës, duke aktivizuar paketën e masave për një Brexit pa marrëveshje. Kryeministri Eduar Filip, njoftoi ndryshimet e reja në agjencitë shtetërore.

Édouard Philippe – Kryeministër i Francës :Për t’i bërë ballë një Brexiti pa marrëveshje, vendosëm të nisim një plan investimesh prej 50 milionë Euro, në portet dhe aeroportet franceze që janë natyrisht vendet më të prekura nga ndryshimet që sjell Brexiti i ashpër.

Një plan të ngjashëm masash pritet ta marrë edhe Gjermania, duke pasur parasysh se Brukseli aktualisht është kundër rinegocimit të një marrëveshjeje të re.