Viktima të shumta dyshohen pas një shpërthimi të fuqishëm që tronditi Kabulin këtë të hënë, shumë pranë një turme prej dhjetëra vetësh që po protestonin pikërisht kundër sulmeve të talebanëve ndaj grupit minoritar të etnisë Hazara.

Shpërthimi ka ndodhur përpara një shkolle të mesme në zonën qendrore të kryeqytetit afgan, sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Brendshme.

Një foto e publikuar në aplikacionin popullor të mesazheve, WhatsApp, tregon disa trupa të shtrirë përtokë.

“Ishte një shpërthim i fuqishëm pranë shkollës së mesme Istiqlal, shumë pranë vendit ku ishin mbledhur demonstruesit”, tha një dëshmitar për agjencinë e lajmeve “AFP”.

Një oficer policie në vendngjarje deklaroi se mundej të shihte të paktën 10-15 trupa të shtrirë në tokë, sikurse edhe copëza trupash më tej.