Në një ceremoni solemne të hënën, me rastin e Ditës së Përkujtimit, Presidenti Donald Trump zhvilloi homazhe për të nderuar amerikanët e rënë në luftë. Ai vendosi kurora me lule në varrezat kombëtare të Arlingtonit, qytet shumë pranë Uashington DC-së. Udhëheqësi amerikan u përkul përpara varrin të Ushtarit të Panjohur. Ai shoqërohej nga Nënpresidenti Mike Pence dhe sekretari i Mbrojtjes Mark Esper.

Zonja e Parë Melania Trump dhe Zonja e Dytë Karen Pence e vëzhguan ceremoninë nga një distancë aty pranë së bashku me zyrtarë të tjerë të lartë.

Për shkak të kërcënimit që paraqet koronavirusi, në ceremoninë e përvitshme me rastin e Ditës së Përkujtimit në Arlington, Presidenti Trump nuk mbajti një fjalim sikurse në vitet e kaluara dhe pjesëmarrësit në ceremoni ruajtën një distancë fizike prej rreth 2 metrash nga njëri-tjetri. Disa anëtarë të personelit ushtarak mbanin maska në fytyrë. Ceremonia u shoqërua edhe me të shtëna topash në shenjë nderimi për të rënët në luftë.

Dita e Përkujtimit shënohet çdo vit në SHBA të hënën e fundit të muajit maj në nderim të qindra mijëra ushtarakëve amerikanë, burra e gra që sakrifikuan jetën për vendin.

Fundjavën e kaluar, nga e premtja deri ditën e dielë, flamujt amerikanë në të gjithë vendin u ulën në gjysmë shtizë për të nderuar rreth 100 mijë amerikanë që kanë humbur jetën nga koronavirusi. Të hënën flamujt u ulën sërisht për të nderuar ata që kanë rënë në luftë.

Pas largimit nga varrezat e Arlingtonit presidenti Trump shkoi në Baltimorë në fortesën McHenry, atje ku në vitin 1812 është zhvilluar betejë historike, e cila shërbyer si frymëzim për himnin kombëtar amerikan.

Kryetari i Bashkisë së Baltimores Jack Young kishte kërkuar që presidenti të mos vinte, duke thënë se vizita e tij dërgon një mesazh të gabuar në një kohë kur ai (Jack Young) u ka kërkuar banorëve të qytetit që të shmangin udhëtimet e parëndësishme. Zoti Young tha se vizita e Presidentit nuk ishte thelbësore./VOA