I shoqëruar nga Zonja e Parë, Donald Trump la këtë të mërkurë Shtëpinë e Bardhë, duke shënuar kështu fundin e Presidencës së tij. Ata u larguan me helikopterin Marine One, që i priste në oborrin e Shtëpisë së Bardhë.

Një pamje kjo e pazakontë në raport me presidentët e shkuar, të cilët teksa largohen për herë të fundit, shoqërohen nga politikanët kryesorë të vendit për t’ju drejtuar Capitol-it amerikan, për të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të ri.

Por duke qenë se Trump nuk do të marrë pjesë në ceremoninë e Joe Biden, së bashku me bashkëshorten e tij ai kaloi në një tapet kuq drejt helikopterit ndërsa në oborrin e Shtëpisë së Bardhë ndodhej një grup i vogël reporterësh.

Trump iu drejtua bazës ushtarake Andrews Air në Maryland, ku u zhvillua një ceremoni lamtumire.

Duke folur para mbështetësve, Trump tha se njerëzit nuk e “kanë idenë sesa fort” familja e tij kishte punuar gjatë 4 viteve në zyrë. “Ajo çka kemi bërë ka qenë e mrekullueshme në çdo standard”, tha ai përpara se të drejtonte gishtin tek ndryshimet e bëra në Ushtrinë Amerikane.

“Këto kanë qenë 4 vite të mrekullueshme. Zoti ju bekoftë juve të gjithëve, Zoti bekoftë familjet tuaja dhe Zoti bekoftë këtë komb të bukur“, tha ai. Melania Trump tha se për të kishte qenë nder që kishte shërbyer si Zonjë e Parë.

Pas kësaj, çifti Trump do të udhëtojë për në Florida me Air Force One për t’u vendosur në resortin e tij Mar-a-Lago, në Palm Beach.