Vijon të përshkallëzohen tensionet mes Turqisë dhe Europës. Presidenti, Rexhep Tajip Erdogan, ka akuzuar vendet e BE se po zhvillojnë një fushatë kundër myslimanëve, njësoj si ajo kundër hebrenjve, përpara Luftës së Dytë Botërore.

Duke denoncuar “Islamofobinë” si një “murtajë të vendeve evropiane”, Erdogan solli vëmendjen sërish tek përballja e ashpër me presidentin francez, Emmanuel Macron.

“Mos blini mallra të markave turke në Francë, edhe unë nxis të gjithë qytetarët e mi këtu që kurrë të mos ndihmojnë apo blejnë market franceze.”, u shpreh ai.

Më i ashpër ishte sulmi ndaj kancelares gjermane, Angela Merkel.

“Flisni për lirinë fetare, por ju jeni fashistët e vërtetë. Jeni trashëgimtarë të nazistëve”, theksoi Erdogan gjatë një fjalimi.

Më herët, lideri turk u shpreh me fjalë të rënda ndaj Macron duke thënë se ka nevojë për kontroll mendor. Përplasja erdhi pasi Franca ndryshoi qasje ndaj komunitetit mysliman pas vrasjes së një mësuesi, i cili u tregoi nxënësve disa karikatura të profetit Mohamed.

Gjuha e përdorur nga Erdogan u dënua nga zyrtarë të Gjermanisë. Ministri i Jashtëm, Heiko Maas, tha se presidenti turk arriti një pikë të re të ulët me sulmet personale ndaj Macron dhe se deklaratat e tij janë totalisht të papranueshme.