Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan paralajmëron se bota është në prag të luftës së tretë. Komentet ai i bëri gjatë një konference mjekësor zhvilluar në Ankara, ku tha se shtimi i pranisë ushtarake amerikane në Siri është premisë për një konflikt të gjithanshëm. 

“Njëzet baza ushtarake janë krijuar në Siri. Pse janë ngritur këto baza? Nuk besoj se do të përdoren kundër Rusisë. Ndaj dhe objektivat janë dy, Turqia ose Irani. Epo kjo nënkupton shpalljen e Luftës së Tretë Botërore. Ndaj dhe duhet të jemi gati”.

Gjatë fjalimit, presidenti turk premtoi se do t’i shkojë deri në fund betejës kundër luftëtarëve kurdë në Siri. Epiqendra është qyteza e Afrinit, pranë kufirit turk aty ku ndodhet edhe një numër trupash paqeruajtëse amerikane, të stacionuara për të ndihmuar kryesisht militantët kurdë në luftën kundër Shtetit Islamik. Por Erdogan ka kritikuar Uashingtonin për mbështetjen që u jep atyre pasi Ankaraja i konsideron terroristë.

Sipas autoriteteve turke, mbi 3500 luftëtarë kurdë janë vrarë ose arrestuar që prej nisjes së ofensivës turke “Dega e Ullirit” në veri të Sirisë në janar. Operacionet janë shtrirë edhe në veri të Irakut.