Përurimi i “Muzeut Arkeologjik të Trojës” në perëndim të Turqisë, ka rritur sërish tonet mes Athinës dhe Ankarasë, kësaj here rreth pretendimeve historike.

Por për Presidentin Erdogan, i pranishëm në ceremoninë e hapjes, muzeu i ri hedh dritë mbi historinë 5000-vjeçare të provincës së Çanakales dhe nuk ka asnjë dyshim se i përket historisë turke.

“Kemi kthyer mbrapsht historinë antike të këtij rajoni në një thesar të kulturës botërore. Troja është një prej pikave historike më të rëndësishme të vendit tonë, e regjistruar në Listën e Trashëgimisë Botërore. Muzeu i Trojës është shembulli më i ri i përpjekjeve tona për të transmetuar historinë tonë tek gjeneratat e ardhshme”.

Athina i ka dënuar këto deklarata si të pavërteta dhe provokuese. Ministria e Jashtme greke thotë se kjo strategji e Erdoan, ka qëllim për konsum të brendshëm politik, teksa Turqia pritet të zhvillojë zgjedhjet lokale më 31 Mars.

Qyteti antik i Trojës vizitohet nga më shumë se 500 mijë turistë në vit, një numër që pritet të rritet ndjeshëm me muzeun e ri, që ka sipërfaqe prej rreth 13 mijë metrash katrorë. Autoritetet në Ankara kanë rritur ndjeshëm promovimin e lashtësisë turke.