Presidenti turk, Tayyip Erdogan tha të enjten se nuk pret që Shtetet e Bashkuara të vendosin sanksione ndaj Turqisë për blerjen e planifikuar të një sistemi rus të mbrojtjes nga raketat, por se do të hakmerrej nëse kjo do të ndodhte.

Duke folur në një konferencë të rrallë për mediat e huaja në Stamboll, Erdogan përsëriti se blerja e sistemeve ruse S-400 është një marrëveshje e përfunduar tashmë dhe shtoi se Shtetet e Bashkuara duhet të mendohen mirë, para se të imponojnë sanksione ndaj Turqisë, një vend anëtar i NATO-s.

“E them këtë shumë hapur dhe sinqerisht, unë do t’i cilësoja marrëdhëniet tona me Presidentin Donald Trump me të vërtetë të mira … Në rast se ka një problem, ne komunikojmë menjëherë me telefon”, – tha zoti Erdogan.

“Nuk shoh ndonjë mundësi që këto sanksione të realizohen”, tha Erdogan. Por ai shtoi se Turqia nuk do të heshtë nëse ato do të imponoheshin. “Shtetet e Bashkuara duhet ta mendojnë këtë çështje me shumë kujdes. Ne do të kemi sanksione tona,” – tha ai.

Presidenti turk tha se do të diskutonte për këtë çështje me Presidentin Trump në samitin e G-20-ës në Japoni në fund të muajit.

Turqia ka qenë në bisedime me Shtetet e Bashkuara për muaj me radhë për çështjen e blerjes së planifikuar nga Ankaraja të sistemit rus të mbrojtjes nga raketat, për të cilin Uashingtoni thotë se nuk përputhet me sistemin e mbrojtjes të NATO-s dhe mund të ndikojë blerja e avionëve të saj luftarakë F-35 – një tip avionësh që Turqia po ndihmon të ndërtohen dhe ka në plan t’i blejë.

Edhe pse Shtetet e Bashkuara po kërcënojnë të vendosin sanksione ndaj Turqisë, nëse nuk heqin dorë nga plani për të blerë avionë rusë S-400, Erdogan ka refuzuar të tërhiqet. Të enjten ai tha se dërgesat ka të ngjarë të fillojë brenda gjysmës së parë të korrikut.