“Afganët nuk duhet ta perceptojnë tërheqjen e papritur dhe gati të plotë të forcave amerikane nga Siria, si pararendëse të asaj që e pret Afganistanin. SHBA ka një angazhim afatgjatë me këtë vend. Aleatët tanë afganë dhe të tjerët të mos i keqinterpretojnë veprimet tona të javës së kaluar, të cilat kanë të bëjnë me Sirinë dhe t’i krahasojnë me Afganistanin”, deklaroi shefi i Pentagonit, Mark Esper.

Esper ripohoi vullnetin amerikan për të qëndruar në Afganistan, duke theksuar se vendi përballet me një kërcënim të egër terrorist, që e ka origjinën nga Al-Kaeda dhe që sot ka zënë vend në mesin e talebanëve.

Uashingtoni zhvilloi për një vit bisedime me talebanët, që kërkuan një tërheqje të forcave amerikane nga vendi në këmbim, ndër të tjera, të uljes së dhunës dhe fillimit të një dialogu ndërafgan. Bisedimet u ndërprenë në fillim të shtatorit nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.