Numri i viktimave të shkaktuara nga zjarret masive shkatërrimtare në Kaliforni shkoi në 23 gjatë së shtunës, teksa punonjësit e kërkim-shpëtimit zbuluan më shumë trupa të pajetë njerëzish, viktima të “ferrit të fundsezonit”.

Zjarrfikësit luftuan me zjarre të ndezura nga të dyja anët e shtetit, qoftë në Butte County, ashtu dhe në Los Angeles, prej nga ku raportohet për dy të vdekur si pasojë e zjarreve.

Gjithsesi, shumë pak shpresa ka se flakët do të mund të përmbahen në një të ardhme të afërt, pasi Shërbimi Kombëtar Meteorologjik njoftoi se erërat e forta dhe thatësira e ajrit do të vijonin edhe përgjatë fundjavës.

“Sot, 14 trupa të tjerë janë lokalizuar, gjë që e çon numrin total të të vdekurve në 23”, tha sherifi i kantonit Butte, Kory Honea, gjatë një konference për mediet të së shtunës vonë.

Tymi i tmerrshëm i zjarreve mbuloi qiellin për kilometra të tëra, duke e bërë diellin thuajse të pavëzhgueshëm. Në terren, makina të shumta morën flakë dhe u kthyen në mbetje metalike për skrap, ndërsa edhe linjat e energjisë elektrike u prekën nga flakët.