Autoritetet austriake kanë filluar procedurat e hetimit për fituesin e çmimit Nobel për Letërsi, Peter Handke.

Sipas asaj që raportojnë mediat, ka dyshime të forta se Handke ka pranuar shtetësinë e ish-Jugosllavisë në vitin 1999 dhe nëse kjo është e vërtetë, atëherë automatikisht shkrimtari humb shtetësinë e Austrisë.

Kryetari i rajonit ku ka jetuar Handke ka urdhëruar urgjentisht drejtorinë për të hetuar faktet. Carinthia është krahinë në të cilën Handke ka qenë i lajmëruar para se të lëviz, kështu që ajo ka juridiksion për çështjen e shtetësisë.

Ligji austriak parashikon shtetësi të dyfishtë vetëm në raste të jashtëzakonshme. Handke duhej të merrte miratimin e autoriteteve austriake për nënshtetësi të dyfishtë pasi të paraqiste një kërkesë me shkrim në Carinthia përpara se të merrte pasaportën e ish- RFJ-së.

Siç evidentohet në dosje, shkrimtari nuk e ka bërë kurrë atë kërkesë. Mediat austriake për shkak të situatës së re spekulojnë se me cilën shtetësi ka qenë Handke kur ka marr çmimin Nobel, pra përfaqëson Serbinë apo Austrinë.

Fituesi i çmimit Nobel shkaktoi reagime të forta në opinionin shqiptar pasi ai njihet si një nga mbështetësit me të zjarrtë të ish-liderit të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviçit. Ky i fundit me regjimin e tij spastrues kreu gjenocid ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë gjatë luftës në vitin 1999.