Policia përdori gaz lotsjellës për shpërndarjen e emigrantëve që protestuan për të dytën ditë radhazi në ishullin e Lesbosit të shtunën.

Emigrantët, mes të cilëve edhe të mitur, mbanin në duar pankarta ku shkruhej, “Moria vret”, apo “A na dëgjon zonja Merkel” në një referencë ndaj kancelares gjermane e cila ka premtuar t’i ndihmojë. Ndërsa shumë thërrisnin “liri” një vajzë e vogël u dëgjua të thotë “të lutem na ndihmo Gjermani”.

Një zjarr i madh shkrumboi kampin famëkeq të Morias ku jetonin gati 13 mijë vetë, duke lënë burra, gra e fëmijë në qiell të hapur.

Përforcime janë dërguar në ishull për të ruajtur rendin, teksa autoritetet po përgatisin qindra tenda për të strehuar emigrantët të cilët për të katërtën natë radhazi u zgjuan në rrugë.

Bashkimi Europian dhe zyrtarë të qeverisë thanë të premten se një qendër e re strehim do të zëvendësonte Morian. Një lëvizje e tillë kundërshtohet nga banorët e zonës.