Çështja e emigrantëve të kthyer në kufirin italo-francez ka ndezur përsëri polemikat mes Italisë dhe Francës.

Ministria e Brendshme italiane informon sot se një furgon i xhandarmërisë franceze është identifikuar nga policia kufitare italiane në komunën Claviere të Torinos, ndërsa shkarkonte disa emigrantë të etnisë afrikane në një zonë pyjore të kufirit italo-francez. 

Më pas furgoni është kthyer në tokën franceze.

Ministria e Brendshme italiane informon se është identifikuar targa e furgonit dhe po hetohet mbi ngjarjen.

Ndërsa Minsitri i Brendshëm Matteo Salvini ka kërkuar që ministri i jashtëm italian Enzo Moavero të thërras me urgjencë Ambasadorin francez në Romë për t'i referuar mbi atë çafrë ka ndodhur.

"Nuk dua të besoj se Franca e Macron-it përdori Policinë e Shtetit për të transportuar fshehurazi emigrantë në tokën italiane,"-është shprehuar në media Salvini, transmeton oranews. "Por nëse dikush mendon vërtetë se mund të na përdorë si kamp refugjatësh të Evropës, duke dhunuar ligjet, kufijtë e paktet, gabohet rëndë."

"Jemi të gatshëm,"-u shpreh Salvini. "Të mbrojmë nderin e dinjitetin e vendit tonë në çdo seli të çdo niveli. Pretendojmë qartësi mbi çfarë ka ndodhur e mbi të gjitha ndaj atyre që na bëjnë moral çdo ditë, e nuk do të kursejmë askënd."

Ndërkohë Ministria e Jashtme italiane informon gjithashtu se ka kërkuar në takim  Ambasadorin francez në Romë dhe është në pritje të referencës së tij.

Komuna Claviere, vendi ku xhandarmëria franceze ka transportuar fshehtas emigrantë nga Franca, konsiderohet si një zonë e nxehtë pasi aty janë pozicionuar prej disa muajsh ekstremistë të së majtës e anarkistë të lidhur me lëvizjen 'Briser Les Frontieres' (Thyerja e kufijve).

Deri më tani nuk ka ende një përgjigje nga Parisi mbi çka ka ndodhur e as nga Ambasciata franceze në Romë.