Mbështetja e qeverisë italiane për “jelekverdhët” në Francë i ka tensionuar marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje. Qeveria në Paris është e indinjuar dhe bën fjalë për një provokim të papranueshëm.

Pas grindjeve prej disa javësh mes qeverisë së Francës nën presidentin Emmanuel Macron dhe qeverisë populiste të djathtë në Romë, Parisi e ka tërhequr për konsultime ambasadorin e vet nga Roma. Ndërhyrjet e fundit të Italisë në politikën e brendshme franceze janë një “provokim i papranueshëm”, komunikoi Ministria e Jashtme franceze. Mbështetja e lëvizjes së jelekverdhëve nga politika e Romës “cënon respektin, për të cilin janë të detyruara ndaj njëra-tjetrës qeveritë e zgjedhura në mënyrë demokratike dhe të lirë”.

Në fokus zgjedhjet për Parlamentin Europian

Përfaqësuesi i qeverisë franceze u shpreh i indinjuar edhe ndaj takimit të fshehtë të zëvendëskryeministrit italian Luigi Di Maio me përfaqësues të “jelekverdhëve” të martën (06.02) në Paris. Vetëm katër muaj para zgjedhjeve për Parlamentin Europian qeveria në Romë fare hapur është angazhuar për lëvizjen protestës, që kërkon tërheqjen e presidentit Macron. Kalkulimi që me sa duket bëjnë populistët është të fitojnë pikë në elektorat për zgjedhjet europiane.

Di Maio nga lëvizja populiste “Pesë yjet” është takuar me disa kandidatë të “jelekverdhëve” për zgjedhjet europiane në fund të majit, ndër ta edhe me zëdhënësin e lëvizjes së protestës, Christophe Chalençon. Ky është si figurë e diskutueshme për shkak të deklarimeve të tij ksneofobe dhe kundër islamizmit.

Mes “jelekverdhëve” dhe lëvizjes “Pesë yjet” ka shumë “pikëtakime”, deklalroi zyra e Di Maios. Kjo ka të bëjë me temat për drejtësinë sociale, demokracinë direkt dhe mjedisin. “Era e ndryshimeve i ka kaluar alpet”, pati komunikuar Di Maio pas takimit me jelekverdhët.

Front kundër Macron

Qeveria e Italisë e përbërë nga lëvizja Pesë Yjet dhe  partia radikale e djathtë Lega qysh muajin e kaluar i mbështeti “jelekverdhët”. “Jelekverdhë – jini të qëndrueshëm”, pati deklaruar Di Maio gjatë protestave. Zëvendëskryeministri italian dhe ministër i Brendshëm Matteo Salvini pati deklaruar, se ai mbështet “qytetarët seriozë” në protestën e tyre kundër presidentit Macron, i cili qeveris “kundër popullit të tij”.  “Jelekverdhët” në manifestimet e tyre të përjavshme kërkojnë dorëheqjen e Macronit dhe distancimin nga politika e tij sociale.

Mollë sherri politika e migracionit

Qeveria italiane prej kohësh është në konflikt me Macronin – ndër të tjera për shkak të politikës së saj restriktive ndaj emigracionit. Macron e akuzoi Rimën për “cinizëm” dhe “mungesë përgjegjësie”, pasi Italia refuzoi të pranojnë ankorimin në portet e saj të anijeve me refugjatë. Di Maio u kundërvu duke deklaruar, se emigrimi masiv nga Afrika është pasojë, që “vende të caktuara europiane, në radhë të parë Franca, asnjëherë nuk janë ndalur së kolonizuari vendet afrikane”./DW