Franca i ka qëndruar vetos së saj kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Edhe në darkën informale që u zhvillua mbrëmjen e së enjtes presidenti Emanuel Makron ka këmbëngulur se nuk është koha për të vijuar me zgjerimin, por duhet të reformohet së pari BE-ja.

TGCOM shkruan se vetoja e Francës tashmë e ka bllokuar anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duke venë në dyshim të gjithë procesin e zgjerimit të BE-së.

“Liderët e BE-së nuk mundën që të hapnin rrugën për dy vendet e Ballkanit, pavarësisht mazhoancës së krerëve të BE-së që ishin në favor të rekomandimit të dhënë nga Komisioni Europian” – shkruan TGCOM.

Ndërsa ANSA shkruan se përveç Francës, ata që kanë frenuar kanë qenë edhe Vendet e Ulëta dhe Danimarka që ishin kundër vetëm për Shqipërinë.

“Apelet e përsëritura të Komisionit Europian, Parlamentit Europain dhe Tiranës dhe Shkupit duket se nuk e bindën presidentin francez që këmbëngul në reformimin e të gjithë procesit të zgjerimit për ti dhënë më shumë besueshmëri. Vetëm atëherë sipas tij BE mund të pranojë vende të tjera. Ky pozicion i Macron duket se i shërben edhe për të frenuar forcat populiste në vendin e tij".

Letrën e fundit mbi tavolinë e vuri Finlanda për të ndarë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut. Të sakrifikohet Tirana për të shpëtuar Shkupin si një tentativë për të mos destabilizuar rajonin.

“Nëse liderët e BE-së nuk na japin dritën jeshile, qeveria jonë është e vdekur” – është shprehur kryeministri maqedon Zoran Zaev. Por edhe mundësia e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut duket se nuk e kënaq Parisin, por edhe disa vende të tjera si Italia që këmbëngulin për të çelur negociatat me të dyja vendet” – shkruan ANSA.