Qyteti i Xhenovës u gjunjëzua dje para një tragjedie që deri më tani i ka marrë jetën 39 personave, ndërsa dhjetra të tjerë kanë mbetur të plagosur.

Kur e gjithë vëmendja është përqendruar tek kërkimet me shpresën për të gjetur të tjerë të mbijetuar, qindra qytetarë janë detyruar që prej ditës së djeshme që të lënë shtëpitë e tyre. Siç raportojnë mediat italiane, të paktën 400 banorë të zonës kanë ‘braktisur’ shtëpitë, pasi zona në fjalë është në perimetrin e sigurisë për shkak të rrezikut.

‘Republica’ shkruan se disa kanë preferuar që të strehohen tek të afërmit, disa vendet e ofruara nga komuna. Ndërkohë në zonën rreth lumit Polcevera u izoluan menjëherë dhe furnizimet me gaz, ndërsa energjia u ndërpre, për t’iu paraprirë çdo rreziku. Ndërkohë, vet banorët në dëshmitë e tyre e kishin përjetuar ngjarjen në fjalë njësoj si një tërmet, pasi banesat e tyre ishin lëkundur nga rrëzimi i urës Morandi.