Kur na ndan edhe një javë nga zgjedhjet për Parlamentin Evropian, mijëra qytetarë kanë dalë në rrugët e Gjermanisë për të shprehur mbështetjen e tyre për Europën.

Të shqetësuar nga rritja e ekstremeve të djathta, marshuesit dolën në qytete të ndryshme për të motivuar popullin që të marrë pjesë në këto zgjedhje.

Rrugët e Berlinit, Frankfurtit, Hamburgut, Këlnit, Laipsigut, Mynihut dhe Shtutgartit u mbushën nga marshuesit të cilët kërkonin të përçonin një mesazh kundër nacionalizmit që propogandojnë partitë ekstremiste të djathta.

Liderja e Partisë Social Demokrate të Gjermanisë, Andrea Nahles dhe kandidatja kryesore e kësaj partie për PE, Ministrja e Drejtësisë Katherina Barley, ishin gjithashtu pjesëmarrëse në marshim.

“Një Evropë për të gjithë nuk është një Evropë për shtetet më vete ku secili lufton secilin. Ne e kishim këtë gjendje dhe dihet se si shkoi”,- shkruante Nahles në Twitter.