Gjermania ka 30 mijë vende të lira pune për infermierë. Kështu është raportuar sot në një kronikë të transmetuar nga DW, që bën me dije se pavarësisht projekteve të ndërmarra nga qeveria për të ardhurit nga vende e treta, Gjermania ende nuk ka arritur të plotësojë nevojat për infermierë të kualifikuar.

Por sikurse bëhej me dije në kronikë, kjo kërkesë i ka hapur rrugën shumë abuzimeve. I tillë është rasti i Bosnjës nga ku aktualisht një numër i madh infermierësh është larguar për t’u punësuar në Gjermani.

Gazetarja boshnjake, ka zbuluar se tashmë, shumë të rinj, për t’u larguar nga vendi blejnë diplomën e infermierit pa kryer studime dhe pa patur specializimin e duhur për të kryer këtë profesion.