Katalonja po përjeton ditën e gjashtë të protestave të cilat nisën si reagim pas dënimit me 100 vite burg në total, të disa drejtueseve të lëvizjes për pavarësinë e krahinës.

Në grevën e përgjithshme morën pjesë më shumë se gjysmë milioni njerëz nga Barcelona por dhe të ardhur nga shumë qytete, të cilët përmes ngritjes së barrikadave bllokuan disa rrugë, përfshirë edhe atë në kufirin me Francën, iu vunë zjarrin kazanëve të plehrave dhe hodhën mjete të forta drejt forcave të policisë.

Në Barcelonë, katedralja "Sagrada Familia" që prej ditës së djeshme është mbyllur për vizitorët, ndërsa trenat dhe metroja e qytetit kanë ulur rendimentin.

Shumë njerëz thonë se janë të zemëruar për atë që po ndodh, veçanërisht në lidhje me dhunën, ndërsa për të tjerët kjo është mënyra e vetme për të luftuar për qëllimin e tyre, pavarësinë e Katalonjës.

"Dënimi i udhëheqësve separatistë nuk do të ndalojë atë dhe administratën e tij dhe se Katalonja do të kthehet sërish në votime për vetëvendosje. Nëse të gjitha partitë dhe grupet punojnë për ta bërë të mundur, ne do ta mbyllim këtë legjislaturë me pavarësi," – tha presidenti aktual, Quim Torra.

Protestat po zhvillohen në një kohë kur Carles Puigdemont, ish-presidenti i rajonit të Katalonjës, i gjendur përballë urdhrit të ri të arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga gjyqtarët e Madridit, vendosi të dorëzohej pranë autoriteteve belge. Ai u paraqit vullnetarisht ndërsa kundërshtoi urdhrin e arrestimit dhe kundërshtoi çdo përpjekje për ta dërguar atë përsëri në Spanjë.