Një burrë i dënuar për vrasjen e gruas përfitoi nga liria me kusht, e marrë pas shumë betejash ligjore nga avokatja e tij. Por monstra që kishte brenda vetes, i mori jetën edhe vetë avokates. Ngjarja e rëndë ka tronditur opinionin publik në Spanjë, në qytetin e Zaragozës.

Josè Javier Salvador Calvo, 50 vjeç, ishte dënuar me 18 vite burg për vrasjen me armë zjarri të gruas së tij, në vitin 2003. Në 2017-n, avokatja Rebeca Santamalia Cancer, arrin të nxjerrë nga burgu të dashurin e saj vrasës, me të cilin kishte nisur një histori pasioni.

Prej ditësh avokatja kishte humbur gjurmët. Ish-bashkëshorti i saj, me të cilin kishte edhe një djalë 14 vjeç, denoncoi zhdukjen. Policia gjeti trupin e pajetë të avokates, e cila ishte vrarë me thikë nga bashkëjetuesi i saj. Pak orë më vonë, vrasësi i grave u vetëflijua duke u hedhur nga një urë.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez gjithashtu u shpreh i shokuar dhe kujtoi se bëhet fjalë për vrasjen e 4 grave në pak ditë. Ndërkohë në rrugët e Zaragozës më shumë se 1 mijë protestues u mblodhën kundër dhunës ndaj grave, duke kërkuar dënime më të ashpra për vrasësit.