Një infermiere 30-vjeçare në Belgjikë ka humbur jetën për shkak të koronavirusit, duke u bërë viktima më e re në këtë shtet.

Isaura Castermans e cila ishte në vijën e parë të frontit në luftën kundër COVID-19, humbi jetën të enjten e 26 marsit, shkruajnë mediat belge.

E reja ka filluar të ndihet keq të martën e 24 marsit dhe më pas ka kontaktuar me mjekun e saj për të lënë një takim por pas dy ditësh gjeti vdekjen në banesën e saj. Sëmundja i preku zemrën pa i lënë asnjë shans për shërim.

“Isaura ishte fëmija ynë i vetëm”, ​​thanë prindërit e 30-vjeçares.

“Kam mundur ta prek me shpejtësi kur ajo ishte akoma në barrelë, por në atë moment e kuptova që e kisha humbur”, rrëfen duke qarë e ëma.

“Ajo kurrë nuk kishte ndonjë probleme me mushkëritë dhe ishte krejtësisht e shëndetshme, ishte atletike,” thanë prindërit e saj për HLN.

Sipas babait të infermieres, 30-vjeçarja e shihte këtë sëmundje si një “përzgjedhje natyrale”.

“Nëse unë jam një prej tyre, pa problem, nuk kam frikë nga vdekja”, i kishte thënë infermierja prindërve të saj.

Vdekja e Isaura Castermans ka shkaktuar një erë indinjate të përgjithëshme, një zemërim te komuniteti mjekësor për mungesën e mbrojtjes së mjekëve dhe infermierëve.